Ilir Shtufi është arrestuar në Greqi pas një urdhër-arresti të lëshuar nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), në kuadër të hetimeve për një grup të dyshuar të trafikut të drogës.
Sipas informacionit paraprak, Shtufi dyshohet për përfshirje në skema të pastrimit të parave të përfituara nga aktiviteti kriminal i një organizate që, sipas hetimeve, drejtohej nga vëllezërit Koçeku nga Kamza.
Emri i tij është i njohur në fushën e ndërtimit dhe së fundmi është përmendur edhe për projektin e “Malit të Tiranës”. Hetuesit dyshojnë se ai ka bashkëpunuar me grupin kriminal duke investuar dhe qarkulluar para që buronin nga trafiku i lëndëve narkotike.
Arrestimi i Shtufit në territorin grek vjen pas operacionit të fundit të SPAK kundër rrjeteve të dyshuara të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave, ndërsa pritet që procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë të nisin në vijim.
