Dosja hetimore e SPAK ndaj një grupi të dyshuar për trafik ndërkombëtar kokaine dhe pastrim parash ka nxjerrë në pah edhe emrin e biznesmenit Samir Mane, në lidhje me një projekt ndërtimi në zonën e Palasës.
Sipas materialeve hetimore, personat nën hetim Alfredo Hamzai dhe Luçiano Koçeku kanë zhvilluar komunikime ku diskutohet për përfshirjen e tokave në një projekt rezidencial pranë kompleksit Green Coast. Në këto biseda përmendet edhe biznesmeni Ilir Shtufi, i cili dyshohet se ka shërbyer si ndërmjetës në kontaktet mes palëve.
Dosja përmban komunikime ku flitet për negociata financiare që arrijnë deri në 3 milionë euro, si dhe për plane që parashikonin ndërtimin e dhjetëra vilave dhe një hoteli në zonën bregdetare të Palasës. Sipas hetuesve, në bisedat e administruara përmendet edhe mundësia e përfshirjes së pronave të lidhura me personat nën hetim në projektin në fjalë.
SPAK vijon hetimet për të verifikuar të gjitha rrethanat dhe rolin e personave të përmendur në komunikime. Organi i akuzës thekson se të dhënat e pasqyruara në dosjen hetimore përbëjnë dyshime dhe indicie që po hetohen dhe nuk përbëjnë prova të fajësisë për asnjë person pa një vendim gjyqësor të formës së prerë.
