Ish-Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka shprehur mbështetje për protestën që po zhvillohet në Tiranë, duke e cilësuar atë si një reagim kundër sistemit politik dhe jo vetëm ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
I ftuar në emisionin “Koha Jonë-Debat”, Topi tha se pakënaqësitë e grumbulluara ndër vite kanë prodhuar një lëvizje që sfidon të gjithë klasën politike, ndërsa argumentoi se përgjegjësinë kryesore për situatën aktuale e mbajnë Edi Rama dhe Sali Berisha.
Sipas tij, bashkëpunimi mes dy liderëve politikë nisi me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, të cilat, sipas Topit, ndikuan në deformimin e sistemit politik dhe forcimin e pushtetit të partive të mëdha.
Topi u shpreh se protesta ka lindur në mënyrë spontane dhe se forca e saj qëndron pikërisht te pavarësia nga partitë politike. Ai paralajmëroi se çdo përpjekje për ta kontrolluar ose për ta përfshirë në lojën politike mund të çojë në dobësimin dhe dështimin e saj.
Ish-kreu i shtetit tha gjithashtu se më i rrezikuari nga kjo lëvizje është kreu i opozitës, Sali Berisha, pasi sipas tij protestuesit kanë shprehur kritika jo vetëm ndaj qeverisë, por edhe ndaj opozitës tradicionale.
“Protesta nuk është vetëm kundër Ramës. Ajo është një sfidë ndaj gjithë sistemit politik që është ndërtuar gjatë këtyre viteve”, theksoi Topi.
