Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë deklarata të forta lidhur me Kosovën, duke thënë se Serbia sot është shumë më e fuqishme ushtarakisht dhe do të kishte kapacitete për të hyrë në luftë, por sipas tij, zgjedh paqen.
Në një intervistë për mediat serbe, Vuçiq deklaroi se ushtria serbe është forcuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit falë investimeve në armatime moderne dhe pajisje ushtarake të avancuara.
“Sot jemi shumë më të fortë se më parë. Tani do të kishim me çfarë të shkonim në luftë, por nuk dua luftë, sepse u kam premtuar qytetarëve paqe”, u shpreh presidenti serb.
Ai theksoi se Serbia do të vazhdojë të investojë në sektorin e mbrojtjes dhe të rrisë kapacitetet ushtarake, ndërsa shtoi se çështja e Kosovës mbetet në fokus të politikës së Beogradit.
Vuçiq njoftoi gjithashtu se së shpejti do të zhvillojë një vizitë në Kinë, të cilën e konsideron ndër më të rëndësishmet në karrierën e tij politike.

