“Lufta ishte e ashpër. Ne dëshironim liri, pavarësi dhe bashkimin e trojeve shqiptare, ndërsa ata të Shqipërisë, sikur nuk kishin sens patriotik.

Ata ishin nën ndikimin e plotë të komunistëve jugosllavë. Në vend që të na ndihmonin, ata edhe na sulmuan. Njërin prej shefave të tyre e quanin Shefqet Peçi; më duket se ishte kolonel, me gradë.

Ai ishte në Kosovë. Çdo e keqe që ka pasur lëvizja jonë, edhe Kosova, ka ardhur nga Shefqet Peçi.

Për bashkimin me Shqipërinë as që dëshironte të dëgjonte. Shqipëria nuk përkrahu luftën tonë për liri dhe bashkim.

Mbizotëroi përkrahja ideologjike, në vend të asaj strategjike kombëtare. Luftuam në dy fronte: edhe kundër komunistëve, edhe kundër shqiptarëve, të cilët na i kthyen tytat e pushkëve.

Në katundin Cërrnillë ishte vendosur Shefqet Peçi. Kur u takuam, Shefqet Peçi na tha se këto që ju jeni duke thënë për bashkimin e trojeve shqiptare janë “pëllavra” e asgjë tjetër. ‘Ju duhet t’u bashkoheni aradhave komuniste të Shqipërisë, sepse shpëtim tjetër nuk keni’, na tha Shefqet Peçi.

Ne e bënim luftën për bashkim me Shqipërinë, ndërsa ai na thoshte që duhet t’i bashkoheshim komunizmit.

Fatkeqësisht, në atë kohë Shqipëri nuk kishte. Ne mbetëm, siç thuhet, si kojrrilat në mjegull; nuk dinim çka po ndodhte dhe çka do të ndodhte.”**

(Pjesë nga intervista e Shpend Osmanit me Adem Gllavicën, ZËRI, 19.12.1998)

By Editor