Përballë regjimit të ri pas Luftës së Dytë Botërore, intelektualë të papajtueshëm me regjimet diktatoriale krijuan një opozitë të re. Musine Kokalari ishte një nga figurat kryesore opozitare si kryetare e Partisë Social-Demokrate.

Opozitarët, pranë misioneve britanike dhe amerikane, kishin paraqitur pikëpamjet e tyre në takimet e shpeshta me nënkolonelin Egel Palmer dhe majorët Smith, Arnot, Leon etj. Por kush ishin opozitarët e parë? Përfaqësuesit e Komitetit Nismëtar përbëheshin nga tri grupime: të Rezistencës, të lidhur me të arratisurit në male (Hysni Dema), të Monarkisë, të kryesuar nga Qenan Dibra, dhe të Partisë Social-Demokrate, të drejtuar nga Musine Kokalari.

Nisur nga sugjerimet e anglezëve, mbledhjen e dytë më 20 nëntor 1945, në shtëpinë e Shaban Ballës, e drejtoi Gjergj Kokoshi. Ai ra në mosmarrëveshje me Musine Kokalarin për pikat e hartimit të Memorandumit dhe për drejtuesit e grupeve. Musineja kërkonte të përfshihej në Memorandum kërkesa për zhvillimin e një plebishiti në Kosovë për vetëvendosje.

Më 22 nëntor, në mbrëmje, pa praninë e Kokoshit (i cili nuk u lajmërua nga grupet), u përpilua Nota apo Memorandumi, e hartuar nga Qenan Dibra dhe Musine Kokalari, për shtyrjen e zgjedhjeve, e shoqëruar me programin e Partisë “Bashkimi Demokratik”, në një mbledhje të zgjeruar të opozitës në shtëpinë e Ali Kavajës. Pas tri ditësh, Memorandumi, sipas udhëzimeve të Qenan Dibrës, u nënshkrua në zyrën e tij juridike nga avokati Zenun Dibra. Atë natë, Shaban Balla mori përsipër dorëzimin e Notës në Misionin Britanik dhe një kopje iu dërgua Misionit Ushtarak Amerikan, që drejtohej nga Harry Fultz.

Të tre drejtuesit, kryetari i Grupit të Rezistencës Sami Qeribashi, Qenan Dibra i Grupit Monarkist dhe Musine Kokalari, ranë dakord që Gjergj Kokoshi të ishte kryetar i kësaj organizate, pasi u konsiderua se ai kishte kredencialet e duhura: i shkolluar në Paris, anëtar i Frontit, ish-deputet dhe Ministër i Arsimit dhe Kulturës Popullore, sipas parapëlqimit të aleatëve.

Më 20 nëntor 1945, përfaqësia e opozitës dhe Musine Kokalari i kërkuan një takim shefit të misionit ushtarak britanik në Shqipëri, nënkolonel Egel Palmer, të cilit iu dorëzua një memorandum ku i bëhej thirrje Britanisë së Madhe dhe aleatëve që të siguronin zgjedhje të lira dhe demokratike në Shqipëri. Ky grupim nuk iu kundërvu drejtpërdrejt Frontit, por me përfaqësuesit e vet u përpoq të përhapte në një frymë pacifiste opozitarizmin, në kundërshtim me propagandën e Frontit dhe të Partisë Komuniste, e cila përhapte idenë e përçarjes së Aleancës Antifashiste të SHBA, Anglisë dhe BRSS, me synimin për të vendosur diktaturën në Shqipëri.

Përmbledhja e programit, e shkruar nga Musine Kokalari, ishte kjo: miqësi me shtetet demokratike dhe sidomos me shtetet fqinje; zgjidhja e problemit të Kosovës me anë të një plebishiti ose sipas Konferencës së Paqes; respektimi i të drejtave të pakicave; zbatimi i të gjitha reformave shoqërore në bazë të traditave; lufta kundër çdo elementi fashist dhe profashist; njohja e neutralitetit të Shqipërisë nga fuqitë e mëdha; mbajtja e një force të armatosur vetëm për sigurimin e qetësisë së brendshme.

Pika e fundit e programit të Partisë Bashkimi Demokratik ishte reduktimi i forcave të armatosura në standardet e një vendi që tashmë kishte dalë nga lufta dhe ku ishte vendosur paqja, duke kundërshtuar politikën e mbajtjes së pushtetit politik me të njëjtat struktura ushtarake të periudhës së luftës, një praktikë që vijoi edhe në vitin 1945, kur vepronin ende si njësi administrative këshillat Nacional-Çlirimtare.

Notën për zgjedhje të lira e demokratike e redaktoi Musine Kokalari, e cila e pranoi hapur këtë rol në gjyq si një meritë sfiduese. Ajo e dorëzoi zyrtarisht dokumentin në Misionin Britanik në Tiranë, ku i drejtohej “Aleatëve të mëdhenj” për vendosjen e demokracisë në Shqipëri. Ky akt mbeti i izoluar në historinë e opozitarizmit dhe për këtë arsye unik e me rëndësi historike të dorës së parë. Pasojat e ndëshkimit nuk u kufizuan vetëm në gjyq, pasi Sigurimi i Shtetit dhe Enver Hoxha ndërprenë marrëdhëniet me aleatët anglo-amerikanë dhe përndoqën elementët e dyshuar si “rrezik i përhershëm” për regjimin komunist.

Përveç 37 të dënuarve, dëshmitarë të shumtë të rekrutuar sollën edhe manipulime të fakteve në gjyq për të rënduar të pandehurit. Misioni i Sigurimit të Shtetit në këtë proces, përmes dëshmitarëve, ishte sigurimi i provave sikur ky grupim ishte i lidhur dhe i financuar nga “kriminelët e luftës” ose “të arratisurit”, të cilët të pandehurit i quanin “kundërshtarë politikë të qeverisë”, si Muharrem Bajraktari, Fiqiri Dine dhe Hysni Dema. Në këtë proces u përfshinë 75 persona, prej të cilëve 9 morën dënime kapitale, 24 u dënuan me burgime të gjata, Pjerin Shala me një vit dhe 3 u shpallën të pafajshëm. Të 37 të dënuarve iu shtua edhe masa e sekuestrimit të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme.

Leka Ndoja – Bashkimi Demokratik shqiptar, ISKK, 2017

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *