“Në fillim të viteve ’90, disa individë të KOS-it u treguan edhe publikisht të gatshëm për luftë. Në shtator të vitit 1991, në manastirin “Komogovina” në Kroaci (midis Glinës e Kostajnicës), peshkopi i atëhershëm mileshevas Filaret doli në fotografi duke mbajtur në duar një mitraloz. Në atë fotografi, që qarkulloi në gjithë botën, krahas at Filaretit ishte edhe njëri prej akademikëve serbë – Ratisllav Petroviq, duke dhënë të kuptohej në mënyrë metaforike se Kisha Serbe dhe Akademia Serbe i kishin hyrë së bashku aventurës shtetformuese, e cila do t’u kushtonte shtrenjtë serbëve.
Flitej shumë edhe për atë se si mitropoliti i Malit të Zi e Bregdetit, Amfillohije, në Petrovdan të vitit 1991 e kishte kthyer manastirin e Cetinjës në “kazermë”, domethënë kishte lejuar që pjesëtarët e gardës serbe të vullnetarëve të Arkanit të hynin aty të armatosur. U përmendën edhe Krishtlindjet e vitit 1992, kur mitropoliti Amfillohije, qe “stolisur” me njerëzit e Arkanit në uniforma të maskuara, porsi një diktator afrikan a i republikave banane latino-amerikane, për t’u mbrojtur prej atyre që përkrahnin autoqefalinë e kishës malazeze.
Zhelko Razhnjatoviqi nuk mbronte vetëm mitropolitin Amfillohije. Njerëzit e tij siguronin edhe patriarkun, prandaj peshkopit Atanasije Jevtiq iu desh një herë t’i lutej Arkanit që ta “linte të qetë” patriarkun. Vetë Zhelko Razhnjatoviqi thoshte se ishte dashamirësi më i madh i Patriarkanës dhe se komandanti i tij suprem ishte personalisht patriarku Pavël. Ai gjithmonë mbante me vete fotografinë e Shën Nikollës, që mbante firmën e patriarkut.”
Marrë nga “Kisha serbe në luftë dhe luftërat brenda saj”, “Camaj-Pipa”, Shkodër, 2006. Përkthyes: Rrustem Gjata e Esat Myftari
Përgatiti për botim: Agim Morina