Pas mjegullës së rëndë të Luftës së Parë Botërore, Shqipëria gjendej mes varfërisë, sëmundjeve, mungesës së institucioneve dhe plagëve të hapura sociale. Ishte një vend i sapodalë nga tymi i betejave, i zhytur në kaos dhe i lënë në mëshirë të fatit. Pikërisht në këtë çast vendimtar, në vitin 1919, për herë të parë shkelën në tokën shqiptare përfaqësuesit e Kryqit të Kuq Amerikan, të cilët mbetën të tronditur nga realiteti tragjik që panë: mungesë e theksuar e shërbimeve mjeksore, qindra fëmijë jetimë, zona të tëra pa shkolla, komunitete të tëra pa asnjë strukturë humanitare.
Ndërhyrja e tyre qe e menjëhershme dhe vendimtare. Ata ngritën dispanseri lëvizëse, prodhuan një valë vizitash mjekësore, shpërndanë ndihma jetike dhe krijuan spitale në gjashtë prej qyteteve më të mëdha të vendit. Në bashkëpunim me spitalin e Tiranës, themeluan shkollën e parë të trajnimit për ndihmës-infermiere, një risi absolute në Shqipërinë e asaj kohe.
Teksa mjekët dhe infermierët amerikanë punonin krah për krah me ata shqiptarë, u ngritën katër qendra shëndetësore për fëmijë. Në këto qendra, qindra nëna sillnin vogëlushët për t’i larë, për t’i vizituar dhe për t’i veshur me rroba të ardhura nga Amerika. Aty filloi për herë të parë një edukim i strukturuar mbi higjienën, sidomos në zonat ku mungonte çdo mundësi minimale për kujdes shëndetësor.
Tërmetet e rënda në Elbasan dhe Tepelenë rrënuan fshatra të tëra, duke e përkeqësuar tragjedinë sociale. Për rreth nëntë muaj, njëmijë persona mbijetuan falë çrregullimeve të ushqimit të Kryqit të Kuq Amerikan. Ndërkohë, Kryqi i Kuq Amerikan i të Rinjëve hapi në Shkodër “Shkollën e pastërtisë së fëmijëve”, një model i rreptë higjiene, edukimi dhe kujdesi, që shërbente si qendër komunitare për nënat dhe fëmijët.
Por sfida kryesore ishte arsimi. Etja e fëmijëve në zonat e thella për dije ishte e prekshme. Amerikanët mblodhën fonde në SHBA për të ngritur shkolla në malësi, si ajo e Thethit në vitin 1920, e cila u bë dritare e kulturës moderne në Alpet shqiptare. Ata organizuan kurse për mësuesit e parë, dhanë ndihma financiare dhe materiale, dhe krijuan ura të reja mes dijes dhe izolimit shekullor.
Me kërkesë të Ministrisë së Arsimit, Kryqi i Kuq Amerikan i të Rinjëve riorganizoi disa shkolla, duke trajnuar mësuese shqiptare dhe duke ngritur shkollën e parë teknike në Shqipëri, sot “Harry Fultz”, një institucion që do të transformonte arsimin profesional shqiptar deri në vitin 1933.
Në këtë klimë rindërtimi, në vitin 1921 u themelua Kryqi i Kuq Shqiptar, nën mbështetjen e plotë dhe inkurajimin e Kryqit të Kuq Amerikan. Dy shoqatat bashkëpunuan ngushtë deri në vitin 1946, ndërsa raportet u ringritën sërish pas riorganizimit të KKSH-së në vitin 1989.
Shqipëria, një vend që historikisht ka njohur emigrime, konflikte, disidencë dhe varfëri, e pa sërish veten në nevojë. Pas vitit 1999, Kryqi i Kuq Amerikan dërgoi ekipe në Shqipëri dhe Maqedoni për të ndihmuar refugjatët kosovarë, duke ofruar asistencë për ribashkimin e familjeve të ndara nga lufta.
Projekte të tjera madhore si “Ndihmë për të moshuarit”, fushatat e vaksinimit kundër fruthit dhe rubeolës, si dhe programet për mbijetesën e fëmijëve në Dibër, dëshmuan karakterin e pandalshëm të bashkëpunimit humanitar.

Përgatiti: Albert Vataj
