Nga Hasan Bello

Sipas historianëve dhe studiuesve të ndryshëm, Sami Frashëri është një nga intelektualët më prodhimtarë të Perandorisë Osmane në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Ai njihet si autor i një sërë veprash leksikografike, historike dhe publicistike, të cilat përbëjnë një korpus me vlerë të jashtëzakonshme.

Sami Frashëri është gjithashtu një nga ideologët kryesorë të nacionalizmit shqiptar.

Por cilat ishin raportet e tij me sulltan Abdylhamidin II? Si ishin marrëdhëniet mes njërit prej intelektualëve më të njohur të perandorisë dhe drejtuesit më jetëgjatë të saj?

Pas përfundimit të arsimit të mesëm në Janinë, në vitin 1871 Samiu, së bashku me të vëllanë Naim Frashërin, u zhvendos në Stamboll, ku filloi punë në Zyrën e Shtypit. Në këtë institucion Samiu u njoh dhe zuri miqësi me emra të njohur të elitës intelektuale osmane, si Namık Kemali dhe Ebüzziya Teufiku. Këta të fundit ishin dy nga drejtuesit e “Osmanëve të Rinj” (pararendës të lëvizjes xhonturke). Për këtë arsye, ai u përfshi në rrymën që kërkonte modernizimin e perandorisë.

Krahas përkthimeve nga gjuha frënge, në vitin 1872 Samiu botoi romanin e parë modern në gjuhën osmane, “Dashuria e Talatit për Fitnetin” (Ta’aşşûk-ı Tal’at ve Fitnât), i cili shumë shpejt do ta bënte të njohur në rrethet letrare të Stambollit. Gjatë kësaj kohe ai botoi një sërë shkrimesh për gazetat më me emër të perandorisë, duke u afirmuar edhe si publicist. Më 1877 ai u caktua me punë në Rodos si sekretar i valiut, ku qëndroi për pesë muaj. Gjatë Luftës Ruso-Turke shërbeu si kryenëpunës në Komisionin për Regjistrimin Ushtarak në Janinë. Pasi u kthye në Stamboll, më 1878 u bë kryeredaktor i gazetës “Interpreti i Lindjes” (Tercümân-ı Şark).

Nga tetori i vitit 1879 Samiu ishte drejtues i “Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip”, e cila hartonte libra dhe tekste shkollore për shqiptarët. Në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ai ishte një nga drejtuesit dhe truri i “Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare”.

Sipas disa burimeve, sulltan Abdylhamidi II e vlerësonte jashtëzakonisht Sami Frashërin si intelektual. Prandaj, duke njohur kapacitetin e tij në fushën e letrave, ai e këshilloi që të hartonte disa fjalorë. Kjo u bë shkak që, për një periudhë relativisht të shkurtër, Samiu të botonte një fjalor frëngjisht–turqisht më 1882; një tjetër turqisht–frëngjisht më 1884; një fjalor të gjuhës arabe më 1898; një fjalor turqisht–turqisht (1899–1901), i cili është i pari i këtij lloji dhe ka ndikuar në lindjen e nacionalizmit turk; si dhe enciklopedinë gjashtëvëllimëshe Kamus al-Alam.

Por krahas kësaj pune intelektuale, Sami Frashëri kishte edhe një detyrë të lartë shtetërore. Pas vendimeve të Kongresit të Berlinit, ai u caktua si sekretar i Komisionit të Kontrollit Ushtarak, të themeluar më 1881, post të cilin e mbajti deri sa ndërroi jetë. Pa këtë detyrë, e cila i siguronte të ardhura të mira për të vijuar punën e tij në fushën e dijes dhe mbrojtje politike nga lobet antishqiptare brenda perandorisë, ai do ta kishte të pamundur të vepronte. Nuk ishte rastësi që edhe poeti ynë kombëtar, Naim Frashëri, detyrën e tij si drejtor i censurës në Ministrinë e Arsimit e shfrytëzoi për interesat e kombit shqiptar. Kjo nuk mund të bëhej pa një tolerancë “të heshtur” të drejtuesve kryesorë.

Për ta kuptuar më mirë se si funksionojnë perandoritë, duhet të kemi parasysh dy gjëra: e para, se në to ka lobe të ndryshme, të cilat përpiqen për realizimin e aspiratave etnike, fetare dhe kulturore (si shqiptarët me Samiun dhe Naim Frashërin, apo lobet greke, serbe apo armene në Perandorinë Osmane); dhe e dyta, se në to ekzistojnë subjekte me identitet të dyfishtë apo trefishtë, të cilat drejtuesit e perandorisë i mbështesin në varësi të interesave të tyre politike.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *