Nga Mehmet Elezi
“…autori i dyshuar ndodhej në lokal dhe po konsumonte alkool”.
“…ndodhej i vetëm në një tavolinë tjetër duke konsumuar kafe”.
“… ka dalë nga shtëpia 26-vjeçari, i cili po konsumonte darkë me familjen”.
Tri fjali shkëputur nga një kronikë e zezë në media.
Këto fjali nuk janë në gjuhën shqipe. Janë në një gjuhë të llamarintë, oruelliane.
Shqiptarët nuk thonë eja të konsumojmë një kafe, ishim duke konsumuar darkë, e thirra me konsumue një gotë raki.
Shqiptarët thonë eja të pimë një kafe, ishim duke ngrënë darkë, e thirra me pi një gotë raki.
Të dashur policë, të dashur gazetarë,
Njoftoni për vrasjet dhe bëni çdo ditë vrasje. E vrisni gjuhën shqipe.
Besoj se, kur ktheheni në shtëpi pas punës, gruas (burrit) i thoni s’kam ngrënë darkë, piva kafe…, nuk i thoni s’kam konsumuar darkë, konsumova kafe. Nuk i thoni gjyshes së sëmurë a ke konsumuar gjë, po ilaçet i konsumove? Nuk ju thotë gruaja është vajza e vogël sëmurë, s’po ma konsumon gjirin!
A nuk mund t’u drejtoheni shqiptarëve siç i drejtoheni familjes suaj?
Thjesht shqip.