Nga Albert Vataj
Ottilie, motra e Franz Kafka, e njohur si Ottla, mbetet një nga ato figura që historia i ka vendosur në hije, por që në të vërtetë mbajnë mbi vete një dritë të rrallë njerëzore. Ajo nuk shkroi romane, nuk kërkoi lavdi dhe nuk u përpoq të jetë zë publik.
Megjithatë, në një mënyrë të heshtur dhe vendimtare, ajo u bë një nga shtyllat e padukshme të botës shpirtërore të vëllait të saj, ndoshta ajo forcë e butë pa të cilën Kafka nuk do të kishte gjetur kurajën për t’u përballur me labirintin e vetvetes.
Historia e Ottlës nuk është vetëm historia e një motre të përkushtuar, por ajo e një individi që zgjodhi të jetojë në përputhje me ndërgjegjen e vet, edhe kur kjo nënkuptonte përplasje me normat, me familjen, me kohën. E lindur më 29 tetor 1892 në Pragë, në një familje hebraike borgjeze, ajo u dallua herët për shpirtin e pavarur. Ndryshe nga motrat e saj, që ndoqën rrjedhën e pritshme të jetës familjare, Ottla e kërkoi jetën si zgjedhje personale, jo si detyrim shoqëror.
Në marrëdhënien me Franzin, ajo u bë më shumë se motër: një bashkëbiseduese e thellë, një strehë e qetësisë dhe një dëshmi e mundësisë për të jetuar ndryshe. Letrat e tyre përbëjnë një nga dialogët më të ndjerë të historisë letrare – aty ku një shpirt i trazuar gjen përballë një shpirt të kthjellët. Kur Kafka i shkruante se ajo ishte “i vetmi njeri që e kuptonte pa e keqinterpretuar”, ai nuk i referohej vetëm dashurisë familjare, por një lloj përputhjeje të rrallë shpirtërore, ku fjala bëhet e tepërt.
Në fillim të viteve ’20, zgjedhja e saj për t’u tërhequr në jetën rurale në Zürau nuk ishte thjesht një arratisje, por një afirmim i një filozofie jetese, kthimi te natyra, te puna e ndershme, te thjeshtësia si formë e lirisë. Pikërisht aty, në atë hapësirë të çliruar nga tensionet urbane dhe autoriteti i rëndë paternal, Kafka gjeti njëfarë paqeje në një nga periudhat më të vështira të jetës së tij.
Martesa e saj me Josef David ishte një tjetër akt i qartë i kësaj autonomie, një zgjedhje që sfidoi jo vetëm familjen, por edhe kufijtë e vendosur nga identitetet fetare dhe shoqërore. Ottla nuk kërkoi të provokonte, ajo thjesht refuzoi të jetonte sipas një skeme që nuk i përkiste.
Por tragjedia e saj nuk ishte e përmasës private. Me ardhjen e nazizmi dhe përndjekjen sistematike të hebrenjve, jeta e saj hyri në një kapitull të errët, ku zgjedhjet personale nuk mjaftonin më për të shpëtuar. Divorci nga burri, i ndërmarrë si një akt mbrojtjeje për të, dëshmon edhe një herë atë ndjesi të thellë përgjegjësie që e karakterizonte.
E deportuar në Theresienstadt, Ottla nuk e humbi thelbin e saj njerëzor. Në kushte çnjerëzore, ajo vazhdoi të kujdesej për fëmijët, duke u bërë për ta jo vetëm një ndihmë, por një prani që i rezistonte shkatërrimit moral të kampit. Dhe pikërisht këtu, historia e saj arrin kulmin e vet moral.
Në vitin 1943, ajo u vetëofrua të shoqëronte një grup fëmijësh drejt Auschwitz. Nuk ishte një vendim i çastit, as një impuls i verbër sakrifice. Ishte një akt i vetëdijshëm, një zgjedhje për të mos e braktisur tjetrin në momentin më të errët. Më 7 tetor 1943, ajo u vra në dhomat e gazit, bashkë me ata që nuk deshi t’i linte vetëm.
Kjo është pika ku historia pushon së qeni biografi dhe bëhet dëshmi. Ottla nuk është thjesht “motra e Kafkës”. Ajo është një figurë që mishëron një etikë të heshtur, por të pakompromis: të qëndrosh pranë tjetrit, edhe kur kjo do të thotë të ecësh drejt fundit.
Në një botë që shpesh kujton vetëm zërat më të mëdhenj, ajo mbetet një nga ato prani që dëshmojnë se madhështia nuk matet me famë, por me mënyrën se si një njeri zgjedh të jetë njeri.
